Kapitalizimi i sektorit bankar u rrit ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 18.9%, nga 18.1% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 17.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është parametri më i rëndësishëm rregullator për sektorin bankar dhe treguesi kryesor i aftësisë së bankave për t’iu rezistuar humbjeve të mundshme në të ardhmen.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.

Rritja e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit në tremujorin e parë ka ardhur njëkohësisht nga rritja e vlerës së kapitalit rregullator dhe nga rënia e vlerës së aktiveve me rrezik.

Vlera e kapitalit rregullator të sistemit u rrit më tej dhe arriti në 179.4 miliardë lekë, në rritje me 3.5% që nga fillimi i vitit dhe 5.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Rritja e kapitalit të sektorit është mbështetur kryesisht nga performanca e mirë financiare e regjistruar edhe në tremujorin e parë të vitit. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto arriti vlerën e 6.78 miliardë lekëve, në rritje me 107% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të muajit mars arriti në 949 miliardë lekë, në rënie me 0.7% që nga fillimi i vitit dhe në rritje me 0.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stanjacioni në vlerën e aktiveve me rrezik është ndikuar në një masë të madhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit, që ka tkurrur vlerën e aktiveve në valutë të huaj, por pjesërisht edhe nga një ecuri më e ngadaltë e kreditimit, duke filluar nga tremujori i tretë i vitit të kaluar.

Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta kërkesa gjatë dekadës së fundit ka qenë edhe më e lartë. Me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.

Në vitet e fundit, kërkesat minimale rregullatore për kapital ndaj bankave janë rritur ndjeshëm. Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makroprudenciale të kapitalit. Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.

Bankat më të mëdha të sektorit këtë vit do të përballen me një rritje të mëtejshme të kërkesave për kapital. Deri në fund të vitit 2023, këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Aktualisht, ky detyrim ka hyrë në fuqi për katër bankat me rëndësi sistemike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka OTP Albania, si edhe për Bankën Intesa Sanpaolo Albania. Ato janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), sipas rregullores së miratruar nga Banka e Shqipërisë në dhjetor 2020. Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.

Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera. Bankat kanë detyrimin të plotësojnë, sipas radhës, kërkesat minimale për kapitalin rregullator, kërkesën minimale për MREL dhe në fund shtesat makroprudenciale të kapitalit./Monitor