Kuvendi Kombëtar i PD-së ka miratuar sot statutin e ri. Ky organizim vjen menjëherë pas konfirmimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, në një garë ku ai nuk pati asnjë kandidat përballë.

NDRYSHIMET NE STATUT:

1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.

2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.

3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.

4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).

6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.

7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.

8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

PUNIMET
Kuvendi nisi punimet në orën 11.33 dhe hapjen e tij u bë Erisa Bajaziti, një prej shqiptareve që jeton në Bruksel dhe kandidoi për PD në zgjedhjet parlamentare si përfaqësuese e diasporës. Gjatë punimeve të Kuvendit, drejtuesi i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, paraqiti propozimet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.

Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë.

Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme. Sipas asaj që është bërë e ditur më herët, ndryshimet nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, i cili parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.