Deputetët e opozitës kërkuan në Konferencën e Kryetarëve, këtë të enjte që të dëgjohet zëri i qytetarëve, duke theksuar se Kuvendi ka detyrimin të diskutojë si kërkesat e protestuesve, ashtu edhe raportin e Parlamentit Europian. Sipas tyre, në raportin e PE-së protesta përmendet si një çështje shqetësuese.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi për mediat se nuk e njeh Partinë Demokratike dhe Sali Berishën si përfaqësues të protestuesve.

Balla argumentoi se PD-ja nuk mund të pretendojë se përfaqëson protestën, pasi kërkesat e saj nuk përputhen me ato të qytetarëve që kanë dalë në protestë.

“I kam pyetur përfaqësuesit e opozitës se me çfarë mandati kanë ardhur si përfaqësues të protestës. U kam bërë të ditur se janë aq të paaftë sa kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve, të cilat janë bërë publike, pavarësisht se nga kush. Një përfaqësues foli për çështjen e Iranit, ndërsa po të shihje kërkesat e opozitës, ato ishin të ndryshme. Kishin sjellë katër halle të vetat dhe vetëm pika e dorëheqjes ishte e njëjtë. Në këtë këndvështrim, ua kemi bërë të qartë se nuk e njohim partinë e Sali Berishës si parti përfaqësuese të protestës. Meqenëse kanë radhën të flasin pasdite, le t’i përgjigjen edhe kësaj çështjeje: a ka mandat partia e Berishës për t’i përfaqësuar?”, u shpreh Balla.