Do të shqyrtohet sot në Gjykatën e Lartë rekursi i ish-presidentit, Ilir Meta i cili kërkon lirimin nga qelia.

Ilir Meta depozitoi më 16 Shkurt në Gjykatën e Lartë kërkesën për të hequr masën e sigurisë arrest me burg.

Gjyqtarët e caktuar për çështjen janë Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, të cilët do të shqyrtojnë jo vetëm rekursin e ish-kreut të shtetit, por edhe atë të deputetes Monika Kryemadhi.

Ilir Meta mbahet i arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar, kërkon një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhet më qenien e tij, drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.

Për të, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.

Edhe Kryemadhi me masë sigurie “detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme.