SHBA, 22 mars 2013– Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit tha se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran është realitet, faktor paqeje dhe stabiliteti. Ai deklaroi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se nuk do të lejohen ‘republika serbe’ në Kosovë.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha para të pranishmëve se, Kosova ka shënuar përparim në shumë aspekte dhe sipas tij, merita i shkon qytetarëve që po shohin drejt së ardhmes. Ai tha se momentet nëpër të cilat po kalon vendi janë dëshmi shtesë për pjekurinë shtetëformuese të Kosovës.

Sipas tij, pavarësia e saj, është gërshetim i përpjekjeve të qytetarëve të Kosovës dhe mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare.

Thaçi, duke folur për gjendjen në Kosovë, tha se prapa shpërthimeve në veri, veçanërisht ndaj zyrës administrative, qëndrojnë strukturat paralele. Sipas tij, fatkeqësisht roli i Serbisë ende nuk është konstruktiv.

“Situata në veri krijon paqëndrueshmëri dhe kërcënim serioz për situatën e sigurisë në rajon. Barrikadat e orkestruara nuk janë vetëm pengesa fizike, por ato dërgojnë mesazhe për ndarje mbi baza etnike”,-  ka thënë Thaçi, duke iu referuar barrikadave që kanë vendosur serbët nëpër rrugë të ndryshme në veri.

Në të njëjtën kohë kryeministri i Kosovës ka kujtuar po ashtu se në muajt e fundit, në veri, kanë ndodhur “së paku 20 shpërthime”.

Ai me këtë rast vuri theksin para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se në Kosovë nuk do të lejohet "republika serbe".

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi tha se do të kenë sukses nëse ekziston edhe vullneti i Serbisë. Ai shtoi se nuk do të bisedojnë për statusin e integritetin territorial të Kosovës dhe se për këto vija të kuqe kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Në seancë marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçic.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ban ki Moon ka thënë se janë bërë hapa përpara me kalimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd nga niveli teknik në nivel të lartë politik.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/