Shkrimtari Kinez Mo Yan është fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2012. Akademia Suedeze vlerësoi punët e tij të cilat "me realizëm prej iluzionisti bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren". I njohur për romanet dhe prozat e tij të shumta, veprat e 57-vjecarit Mo Yan janë ndikuar nga kritika politike e Lu Xun dhe realizmi magjik i Gabriel Garsia Markez. çmimi Nobel për Letërsi është çmimi më i lartë për arritjet më të mëdha letrare nga një (ose disa) autorë brenda një viti.

Për herë të parë me këtë çmim u laureua shkrimtari francez Sully Prudhomme në vitin 1901. Shkrimtari i parë shqiptar të cilit iu lakua emri për këtë çmim ishte poeti kombëtar Gjergj Fishta, ndërsa në vitet '90 disa herë u emërua prozatori i shquar Ismail Kadare, por fatkeqësisht ai ende nuk është laureuar me Nobelin në letërsi.

Shkencëtari suedez Alfred Nobel, në testamentin e tij të vitit 1895, ndër pesë çmimet që duhet të jepen, përcaktoi një çmim për letërsinë, për personin që në fushën e letërsisë krijon “veprën më të mirë në një drejtim ideal”. Laureati (fituesi i çmimit) duhej të përcaktohej nga “Akademia e Stokholmit”, që më vonë sipas statutit të Fondacionit Nobel u saktësua se është Akademia Suedeze.

Sipas këtij statuti, përkufizohet belles-lettres, “jo vetëm letërsia, por edhe shkrimet e tjera, që për nga cilësia e formës dhe stilit kanë vlerë letrare”. Po ashtu u zbut qëndrimi që çmimi ‘tu jepej veprave të botuara “në vitin paraprak” duke u zgjeruar edhe në “veprat e vjetra”, nëse “rëndësia e tyre nuk ishte bërë e qartë deri në atë kohë ”.

E drejta për të emëruar në atë kohë iu dha edhe fituesve të mëparshëm të çmimit Nobel dhe “kryetarëve të shoqatave të autorëve që janë përfaqësues të krijimit letrar në vendet e tyre”. Statuti, po ashtu, përcakton themelimin e Komitetit të Nobelit “për të dhënë qëndrimin e tyre në lidhje me dhënien e çmimeve” si dhe të Institutit të Nobelit me një bibliotekë që duhej të mblidhte një koleksion substancial të letërsisë moderne.  .