Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e tij të rradhës ka marrë dy vendime të rëndësishme për dy gjyqtarë të gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku dhe Dhurata Bilo. I shumë përfoluri Neritan Tabaku, emri i të cilit u lakua shumë herë në media për vonesën 20 mujore në zbardhjen e vendimit për shtetasin Ilir Xhakja, u pezullua nga detyra me vendim të KLD-së.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e mbështetën vendimin e tyre në kërkesën e depozituar nga Prokuroria e Përgjithshme për dhënien e autorizimit për procedim, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku. Këshilli miratoi unanimisht këtë kërkesë, duke i dhënë rrugë procedimit penal ndaj gjyqtarit të sipërcituar, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal si dhe e pezulloi nga detyra atë. Heqja e imunitetit të gjyqtarit Tabaku do t’i hapë rrugë hetimeve të mëtejshme nga njësia Task Force e cila nuk mund ta thërriste gjyqtarin për ta pyetur për shkak të mbrojtjes ligjore.

Shkelja ligjore e bërë nga gjyqtari Neritan Tabaku doli në dritë menjëherë pas vrasjes së kryekomisar Adem Tahirajt nga Ilir Xhakja, person mjaft i njohur nga organet e rendit e mbi të cilin rëndonin akuzat për tre vrasje të realizuara në kohë të ndryshme. Ilir Xhakja ishte shpallur fillimisht fajtor nga Krimet e Rënda dhe ishte dënuar me 21 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku.

Ky vendim ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit për t’u prishur në vitin 2009 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me argumentimin se kjo akuzë që i atribuohet të pandehurit sipas ligjeve në fuqi nuk është në kompetencë të Krimeve të Rënda, por e Gjykatës së Rrethit. 

 

–         Me vendim të KLD-së, gjyqtari Neritan Tabaku u pezullua nga detyra për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”

–         Gjyqtares së gjykatës së Durrësit, Dhurata Bilo, iu dha masa disiplinore Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”

Pasi çështja kaloi për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës Neritan tabaku pushoi akuzat e rënda mbi Ilir Xhakjen duke e dënuar vetëm me periudhën e paraburgimit për armëmbajtje pa leje. Më pas, për më shumë se një vit e gjysëm gjyqtari Tabaku nuk zbardhi vendimin duke penguar kështu punën e Prokurorisë për ta çuar çështjen në Apel.

Nga ana tjetër këshilli dha masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për gjykatësen e gjykatës së Durrësit, Dhurata Bilo. Vendimi për këtë gjyqtare erdhi pas kërkesës së paraqitur pranë KLD-së nga ministri i drejtësisë, Eduart Halimi, që kërkonte procedim disiplinor ndaj kësaj gjyqtareje.  së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, për të cilën u vendos masa disiplinore. Pas verifikimeve që ka bërë Ministria e Drejtësisë në gjykatën e shkallës së parë të qytetit bregdetar ka rezultuar se gjyqtarja Bilo shpallte data gjyqesh në mënyrë fiktive edhe në kohën kur ishte jashtë vendit për të mos rënë në sy që nuk ishte prezente në punë.

Gjatë mbledhjes së të premtes Këshilli i Lartë i Drejtësisë trajtoi edhe çështje lidhur me veprime apo mosveprime nga ana e gjyqtarëve, në kundërshtim me ligjin, duke theksuar domosdoshmërinë dhe angazhimin maksimal për të evidentuar në kohë, nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme, të gjitha ato raste që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, si dhe një reagim të menjëhershëm institucional.