Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, ka patur reagimin më të goditur në lidhje me shkarkimin e Claudio Ranieri-t nga Leicester. Në fakt, e gjithë bota e futbollit është befasuar të enjten në mbrëmje kur është dhënë lajmi se “Dhelprat” kishin vendosur t’i thonin lamtumirë trajnerit italian, vetëm nëntë muaj pasi ai udhëhoqi skuadrën drejt një triumfi historik në Premier League.

Triumfi i jashtëzakonshëm i sezonit të kaluar ka qenë një nga arritjet më të mëdha në historinë e sportit, por pas ecurisë negative në sezonin aktual dhe me Leicester që ndodhet në vendin e 17-të në Premier League, bordi i klubit ka vendosur të ndryshojë.

Klopp është pyetur në lidhje me këtë të premten, teksa skuadra e tij do të përballet të hënën në mbrëmje pikërisht me “Dhelprat” në kampionat. Gjermani e ka krahasuar vendimin e Leicester me fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet elektorale për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me zgjedhjen e popullit britanik për t’u ndarë nga Europa, që ndryshe njihet me termin “Brexit”.

“Çfarë mund t’ju them? Ka pasur shumë vendime të çuditshme, jo vetëm në futboll: Brexit, Trump, Ranieri”, ka thënë Klopp. “Nuk jam në brendësi të çështjes. Duhet të pyesni Leicester pse e morën këtë vendim. Ne presim një përballje të fortë të hënën”, ka përfunduar trajneri i Liverpool-it.