Kërkesa e Cristiano Ronaldos drejtuar drejtuesve të Manchester United për t’u larguar nga “Djajtë e Kuq” sigurisht që nxit skenarë të rinj në merkaton e futbollistëve.

Madje edhe qëndrime të paparashikueshme, nga klube që e shfrytëzojnë ndoshta këtë moment edhe për bërë humor.

Lista e skuadrave që duan CR7-ën është e gjatë e sidomos ato që do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm kanë një armë më shumë në garën për të siguruar shërbimet e portugezit.

Red Bull Salzburgu, për shembull, vjen me një propozim konkret.

Drejtuesit e skuadrës kampione të Austrisë, sapo morën vesh lajmin për kërkesën e Ronaldos, postuan në rrjetet sociale një mesazh ironik, por shumë simpatik.

“Mund të ofrojmë: Trofe, Champions League-n, male të mrekullueshme dhe një skuadër të përbërë me lojtarët e rinj më të talentuar në Europë”.

Nuk është e zakonshme të lexosh postime të tilla me një cinizëm të pashoq: “E di çfarë duhet të bësh Ronaldo.”

Sigurisht që do të flitet shumë për të ardhmen e 5 herë fituesit të Topit të Artë deri në fund të merkatos, por me siguri që nuk do të veshë fanellën e Salzburgut.