Koalicioni opozitar ‘PD-ASHM’ i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon moscertifikimin e rezultateve dhe auditim të plotë të procesit të votimit nga diaspora.

Opozita kërkon që auditimi të realizohet nga ekspertë të pavarur dhe të paangazhuar në ndonjë institucion shtetëror apo politik.

Ndër të tjera theksohet se konsiderohet e domosdoshme që KQZ-ja të ndërmarrë hapat urgjentë, veçanërisht në shtete si Greqia.

Kërkesa është nënshkruar nga Franc Nuri, përfaqësuesi i PD-ASHM pranë KQZ-së.

Në zgjedhjet e 11 majit, koalicioni opozitar ka marrë 50 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka siguruar plot 83 mandate.

3 mandate shkuan për PSD e Tom Doshit, 2 për Mundësinë e Agron Shehajt, 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet dhe 1 për Lëvizjen Bashkë.