Tiranë, 15 nëntor 2013- Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima, ka deklaruar në studion e “Tonight Ilva Tare” se nuk do të votojë në Parlament për asnjë lloj importi plehrash apo armësh kimike drejt Shqipërisë.
“Unë dua t’ju kujtoj juve që unë nuk jam deputet i Sirisë. Jam deputet i Himarës, jam deputet i Sarandës, jam deputet i Vlorës, jam deputet i popullit dhe jam deputet i Partisë Socialiste, i të majtës së bashkuar dhe unë në mënyrë të qartë mund ta deklaroj me përgjegjësi që unë nuk votoj për plehrat në Shqipëri dhe nuk votoj kurrë as në këtë botë dhe as në atë botë për asnjë lloj importi armësh kimike dhe për asnjë lloj mbetjesh të rrezikshme në tokën tonë”, tha Kokëdhima.
I pyetur nëse këtë qëndrim ia ka bërë të njohur Kryeministrit Rama, Kokëdhima është shprehur se me të ka një komunikim formal në Grupin Parlamentar.
“Unë nuk besoj kurrë që nga e majta e bashkuar dhe nga Partia Socialiste, nga qeveria e saj, nga Kryeministri i saj, të ketë ndonjëherë ndonjë vendim që është në dëm të Shqipërisë. Kam besim të plotë tek udhëheqësit tanë, te përgjegjshmëria e tyre dhe te maturia e tyre”, është shprehur Kokëdhima.





