Nga Dorjana Bezat

Jemi në prag të ditës së 120 të këtij viti. Kam shumë ditë që jam rrokur ta shkruaj këtë status, por jam tërhequr. Sot nuk hesht dot.
Qetësinë e se dielës mbrëma ma prishi një telefonatë. Krisma kishte plasur në Laç. Orë më vonë të plagosurit ndërruan jetë. Dy djem të rinj, u bënë viktima e 28 dhe 29 në fletoren time të shënimeve, ku shënoj çdo ngjarje kriminale.

29 viktima në 120 ditë kalendarike… Nga janari deri më sot kanë ndodhur 23 vrasje në Shqipëri, nga të cilat 8 janë në familje, të tjera për motive banale e ato më tronditëset janë mafioze, që me gjasë do të vijojnë me seritë e radhës.

Në 30 janar të këtij viti në Selitë, në prag të shtëpisë u vra ish-polici Arben Bilali, autorët janë ende anonim. 18 ditë më vonë Vlora u trondit nga një tjetër vrasje mafioze, ku viktimë mbetën Aurest Rexho dhe Arjan Hasani ndërsa u plagos Armando Sulejmani që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. As për këtë ngjarje nuk dihen autorët. Serinë e radhës të kësaj ngjarje pritet ta shohim së shpejti.

Një ditë më pas në Tepelenë u zbulua një tjetër krim. Sokol Rama i zhdukur prej 6 shkurtit u gjet i ekzekutuar nga shoku i tij Roland Milo, i cili u vu në pranga. (Të zhdukurit e tjerë ende nuk i dimë ku janë).

Më pas në 16 dhe 18 mars kryeqyteti u trondit sërish nga 2 vrasje. Të vdekur nga plumbat mbetën Haxhi Baçinozi dhe Jurgen Kurti, ngjarje për të cilat policia ka venë në pranga autorët.

Më pas krimi zhvendoset në Grudë, ku më 20 mars u vra në një atentat Nard Polia për të cilin polica ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

Vetëm 2 ditë më vonë në 22 mars u ekzekutua në një lokal në Elbasan avokati Ravik Gurra. Për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë të dyshuar.  Më 30 mars në Shkodër u luajt seria e radhës e një tjetër historie. Në derë të shtëpisë u ekzekutuan vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali.

Ngjarja e fundit kriminale u shënua në Laç ku viktimë mbetën Kelvin dhe Erion Jushi, ndërsa autorët njihen dhe janë në kërkim. (Megjithëse në kërkim ishte që prej 2013 dhe endej në mes të qytetit me armë).

Këto janë vetëm disa nga ngjarjet më tronditëse dhe që kanë dalë në media. Nuk po përmend ato për të cilat nuk flet askush. Biznese që zgjohen me pako tritoli e të shtëna armësh.
“Të fortë” që nuk pyesin për askënd.

Punonjës policie që u fërshëllen plumbi tek veshi ose u vjen me postë në shtëpi e askush nuk u bëhet krah.  Dhe ata që vdesin ngadalë… Ndjesë u zgjata shumë! Le të luhen tani kasetat: Shqipëria që duam; Bashkia që duam; Policia dhe siguria që duam!