Nga Elona Guri*

Të nderuar banorë të qarkut të Durrësit,

8 vite të keq-qeverisjes së “Rilindjes” kanë shkaktuar një dëm të madh në ekonominë e familjeve Tuaja, dhe një varfëri e papunësi ekstreme për Durrësin e mbarë vendin. Sot pensionistët nuk arrijnë të paguajnë faturat e ujit dhe energjisë, të cilat në Durrës janë më të lartat në vend dhe nuk përballojnë dot kostot për ilaçet dhe shpenzimet ditore të jetesës. Rinia po largohet dita-ditës pasi nuk ka punë, të ardhme dhe shpresë. Sot familjet e Durrësit janë në kushtet e mbijetesës dhe biznesi është në prag falimenti. Duhet NDRYSHIM dhe një qeverisje e re që i shërben banorëve dhe familjeve të thjeshta.

Durrësi është i tëri i betonizuar, pa asnjë park, kënde lojrash për fëmijë, pa hapësira publike, dhe i vënë në shërbim të sektit të betonit dhe korrupsionit. Me qindra miliona euro janë vjedhur e shpërdoruar në ngushtime rrugësh, asfalte pa standarde, tendera dhe PPP për oligarkët e qeverisë, ndërkohë që Ju, të nderuar banorë të Durrësit, jeni varfëruar gjithnjë e më shumë dhe e përballoni me vështirësi jetesën, pa shpresë për të ardhmen, pa siguri për punën, shëndetin, dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj.

“Rilindja” e shpopulloi Durrësin dhe Shqipërinë. 600 mijë shqiptarë, prej tyre 400 mijë të rinj e të reja, u larguan sepse këtu nuk kishin punë, mundësi dhe mirëqenie. Braktisi 8 mijë banorë me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, i la të kalonin dy dimra të ftohtë në çadra e kontejnerë dhe 900 familjeve DS4 ende nuk u ka dhënë informacionin më minimal se çfarë do bëhet me to. Zhvatën qindra miliona euro për oligarkët dhe nuk siguruan teste dhe vaksina për JU. Me vjedhjet e parave Tuaja ushqejnë veten dhe Durrësin e lenë të përmbytet sa herë që bie shi.

Durrësi meriton më shumë. Banorët e qarkut të Durrësit meritojnë mirëqenie, punësim, arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, mbështetje ekonomike, paga e pensione më të larta, e standarde më të mira jetese.

T’i themi NDAL shpopullimit, varfërisë, betonizimit, korrupsionit dhe një qeverie që shkatërroi ekonominë e familjes Suaj dhe ka braktisur banorët e qarkut të Durrësit në ditët më të vështira.

Durrësi nuk mund të mbahet më peng i mafias së “Rilindjes” dhe sektit të betonit dhe korrupsionit. Më 25 prill Durrësi do çlirohet dhe do i kthehet banorëve të thjeshtë.

Është privilegj për mua dhe të gjithë ekipin fitues të LSI Durrës të kemi votën dhe mbështetjen Tuaj, që të jemi zëri i këtij qarku të mrekullueshëm, t’Ju shërbejmë me të gjithë forcën tonë, dhe të punojmë së bashku për ta bërë Durrësin dhe Shqipërinë shtëpinë tonë.

*Kryeson listën e LSI për qarkun Durrës