Nga Mentor Kikia

Në portale u publikua së fundmi, në formën e një lajmi “humoristik”, fakti që dy vëllezër në Baldushk të Tiranës, ishin rrahur paq mes tyre me hunj e hekura, për shkak se gomari i njërit kishte hyrë në vreshtin e tjetrit.
“Gallatë e madhe” – gomari hëngri rrushin dhe i zoti i vreshtit shkoi e i kërkoi llogari të zotit të gomarit. Dhe llogaria ishte shqiptarçe – bjer njëri e bjer tjetri. Njëri në burg e tjetri në spital, ndërsa gomari as mori vesh gjë se çfarë bëri me bistakët e rrushit që hëngri.
Edhe lexuesit u gajasën me lajmin, që dy vëllezër u rrahën për një gomar.
Në fakt çfarë është kjo ngjarje? Eshtë një nga ato që ndodhin rëndom fshatrave të vendit. Madje shumë krime në Shqipëri ndodhin pikërisht per punë gomerësh dhe lopësh, punë gardhesh, punë hardhishë dhe jonxhe. Nëse njëri nga ata vëllezërit do kishte patur armë, tjetri do të ishte varrosur sot.
Po përse i zgjidhim me hunj këto problem ne? Përse nuk i drejtohemi shtetit për të kërkuar zgjidhjen e konfliktit? Nëse gomari dëmtoi hardhitë, atëherë i zoti i gomarit paguan dëmin. Kur vijmë nga jashtë ne tregojmë si përralla ndodhi të tipit, kur dikush detyrohet të paguajë gjobë, sepse qeni i tij i grisi një palë xhinse fqinjit në oborr.
Por kjo gjë nuk ndodh tek ne. Këto probleme shqiptarët i zgjidhin me sherr, me të rrahura dhe hasmëri që trashëgohen në breza pastaj. Ne nuk i denoncojmë këto probleme. Shumë prej tyre, nuk pasqyrohen në librat e ligjeve. Ndërsa ato që pasqyrohen, nuk konsiderohen nga shteti dhe drejtësia.
Zgjidhja e konflikteve që lindin mes fqinjëve që i ndan një mur e një gardh, ishin të parashikuar edhe në librat e ligjeve që në “Kodikët e Shkodrës”, këtu e 500 vjet përpara. Ndërsa sot ne kemi të parashikuar në ligje edhe veprat më të paimagjinueshme penale, por nuk kemi parashikuar zgjidhjen e problemeve që prodhojnë sherre e viktima çdo ditë. Por edhe ato që i kemi të parashikuara, nuk denjojmë ti zbatojmë.
Qeshim, sepse jane pune gomeresh!