Qeveritë e Shqipërisë në 30 vjet e kanë vjedhur këtë vend, e në kohë krizash vendi s’kanë ç’të ndihmojë as popullin e as ekonominë.

Kryeministri kanadez i tha popullit të tij se qeveria që ai drejton do të mbulojë qiratë e atyre që janë me qira. Do të subvencionojë një paketë ushqimesh dhe subvencione biznesit për çdo humbje. Kancelarja gjermane i qëndroi në krah popullit dhe biznesit, duke akorduar 500 miliardë euro. 25 miliardë euro ka deklaruar kryeministri italian për ekonominë dhe popullin në nevojë, 

500 euro në muaj për paketën ushqimore ka deklaruar qeveria e varfër greke për popullin grek. Është duke u diskutuar për një çek prej 900 dollarë në javë për çdo familje nga qeveria Federale Amerikane, 15 miliardë dollarë ka ndarë presidenti Erdogan për ekonominë turke,

Presidenti serb Vuçiç tha se qeveria serbe i ka të gjitha mundësitë të mbajë një vit popullin serb nëse do t’i kërkohet të qëndrojë në karantinë.

Shembujt ku qeveritë po mbështesin ekonomikisht dhe moralisht, popullin dhe biznesin e tyre në këto kohë kur koronavirusi po gjunjëzon edhe ekonomitë më të forta në botë janë jo pak frymëzues.

Në Shqipëri ende qeveria nuk ka dalë me një paketë, ndërsa ekonomia shqiptare është krejtësisht e brishtë. Në ndryshim nga vendet me ekonomi të fortë në të cilën të gjitha qeveritë synojnë që të forcojnë shtetin dhe individin , në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Këtu, shtetin në 30 vjet e kanë vjedhur të gjitha qeveritë, e kanë copëtuar dhe i kanë marrë çfarë kanë mundur.

Asnjë prej qeveritarëve nuk ka patur synim krijimin e një shteti të fortë dhe të një individi të fortë, por vjedhjen nëpërmjet shumë manovrave, së fundmi PPP-të.

K.H.