Nga Bujar Qesja

Lamtumirë miku i çmuar Aleko Gjergo!

Një lajm i kobshëm dhe dëshpërues. Një nga zërat brilantë të radiokronikës sportive shqiptare, miku im i çmuar Aleko Gjergo nuk jeton më. Leko u lind me 23 nëntor 1943.

Në këto ditë shqetësuese që po kalojmë, ky lajm i papritur trishton dukshëm shpirtin tim.

ALEKO GJERGO! Një burrë zotni. Një fisnik i vërtetë. Jemi njohur dhe lidhëm miqësi së bashku 40 vite të shkuara dhe e forcuam këtë lidhje, veçanërisht në emisionin e famshëm “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

Shumë i aftë. Shumë i mënçur. Shumë i thjeshtë. Shumë bashkëpunues. Nga njerëzit e rrallë që kam njohur, sa i takon komunikimit, fjalëve të florinjta që formulonte mëndja e tij e freskët, buzëqeshja aq fine lindur së bashku me të.

Transmetimet e tij, sigurisht janë fondi i artë i radiokronikës tonë, një zë i ngrohtë duke çfaqur mendimin objektiv dhe gjithnjë të paanshëm, por e theksoj shumë, shumë i thjeshtë.

Në asnjë rast nuk ti çfaqte dhe analizonte aftësitë e tij. Korrekt dhe shumë serioz. Nuk është se qëndrova shumë me të, por përjetësisht mbresat për të nuk kanë për tu lëkundur.

Iku dhe një shok. Na la edhe një mik. Gjithnjë po mbetemi më pak ne të gardës së vjetër të transmetimeve. Kemi mbetur pa Ymer Striniqin, Frederik Ficon, Veli Radën, Sefedin Allkjen, Vlash Pambukun dhe duke filluar nga sot edhe pa Alekon tonë të paharruar.

Nuk duhet të rrija pa shkruajtur dy fjalë për ty Aleko im i shtrenjtë dhe pikërisht në ditën që nuk do të shihemi më. Por të jap fjalën, se në memorien time do të mbetësh përjetësisht ai Aleko i ditëve më të mira të miqësisë tonë.

Lamtumirë mik i shtrënjtë!

Me shumë dhimbje

Bujar Qesja

Durrës: 16 mars 2020