Gazetarja dhe aktivistja Edlira Gjoni është rikthyer ditën e sotme në familjen nga Ishmi i Durrësit, e mbetur pa shtëpi që nga 26 nëntori i 2019. Shtëpia e shkatërruar nga tërmeti vijon t’u kujtojë çdo ditë banorëve pasojat e asaj nate të frikshme, por edhe harresën e institucioneve shtetërore për të riparuar banesat e qytetarëve të strehuar në çadër.

“Na kanë harruar! Na iku besimi! 7 muaj asnjë lajm. Do na zerë dimri prapë këtu. Baltë e ngricë atëherë, gjarprinj e rreziqe këtë herë. Pse kështu me ne moj Edlira? Pse me na hudh kaq poshtë vendi jonë”? – shkruan gazetarja Gjoni, ndërsa citon kryefamiljarin, që ndihet i pashpresë për rindërtimin e shpejtë të shtëpisë.

Më e vogla e familjes Derajna, thuajse 1 vjeçe, zvarritet këmbadoras mes çadrës, strehës provizore të familjes, dhe shtëpisë së rrënuar. Ndërsa shprehet se gjatë vizitës së fundit nuk mundi dot t’u thoshte mesazhe shprese familjarëve, gazetarja Gjoni e mbyll postimin e saj me pyetjen dëshpëruese:  

“Pse njeriu nuk ka më vend në këtë vend”?

Postimi i plotë i Edlira Gjonit:

Vërtet më kishte marrë malli për Derajnën, por jo ta shihja kështu 

Vogëlushja po kalon më shumë muaj në çadër sesa në barkun e nënës!

Kur ra tërmeti, ishte foshnje e trembur nga alarmi në sytë e familjarëve. Muret e shtëpisë binin nga të gjithë krahët. Ishte 5 muajshe.

Tani po mbush 1 vjeç. Vizita pas pandemisë që më mbajti larg.

E gjeta duke u zvarritur këmbadoras në bar, në qilim, në tapetët e shtruar gjoja provizorisht në çadër, në kontenier, në mjedisin ku kanë sajuar strehëzën!

Ishte duke u pëpjekur në tokë, e mbi rrugicën që kapi, u zvarrit shigjetë një zhapik jeshil  Ngriva me dorën mbi buzë!

“Nuk është i vetmi! Rrëzë divanit, ja këtu përtokë, ku rrimë, kalojnë zvarranikë. Mes barit e gurëve. Rreziku jeton me ne e me të”-thotë i gjyshi.

Sytë i kanë perënduar! Kopshtnajat përreth i ka të gjitha të gjelbra e të shëndetshme. Ka mbjellë e u rri mbi kokë perimeve për veten e misrit për kafshët shtëpiake. Gjithandej duket dora e përpjekja e tij, e djalit dhe e nuses. Por në sy nuk ka më dritë!

“Na kanë harruar! Na iku besimi! 7 muaj asnjë lajm. Do na zerë dimri prapë këtu. Baltë e ngricë atëherë, gjarprinj e rreziqe këtë herë. Pse kështu me ne moj Edlira? Pse me na hudh kaq poshtë vendi jonë”?

M’u mbushën sytë me lot para tij. Nuk kam ku ta gjej fjalën, mbështetjen, të drejtën. Nuk kam sjellë shpresë me vete këtë radhë! Nuk kam!

Jam po aq e painformuar, e padenjë, pa peshë e pa asnjë rëndësi, sa ai!

As jeta e tij nuk ka vend. As shokimi im disa mujor: “Ç’bëni me këta njerëz”?

Nuk di si ta sqaroj kur më pyet si vendosen prioritetet e qeverisë! E sata vjen në listë shtëpia e tij e rrënuar?

Më ngecin lotët e fjalët në grykë, si rrallëherë më parë, e gjithmonë e më shpesh tani. I tradhëtova këta njerëz. Kështu më dukej çdo sekondë sot.

Muaj me radhë i sigurova se çdo gjë do shkojë mirë. Se vendi mori ndihma e borxhe në emër të tyre. Se ato para që janë për ta, do shpenzohen për ta. Se shtëpia e tyre e rrënuar, me foshnje e gjyshër brenda, ka logjikë të jetë në krye të listave.

Po asnjë listë nuk ka. Asnjë informacion për ta. Asnjë shenjë që familja në Kullas e të tjera si ajo, të jenë në radarin qeveritar.

Pandemia u përzie me teatrin. Pastaj reforma e eurobondi zunë grykën. Super-ministri i ndërtimit vazhdon të jetë mit po aq i padukshëm sa armiku Corona. E me 615 milionë euro këto e po aq nga donatorët në shkurt, Baftjari nuk ka marrë asnjë sinjal, lajm, informacion. Asnjë shenjë lokale, qëndrore a ndërtimore, ta sigurojnë se ende jeta e tij është në hartë!

“I shoh në televizor. Po nuk di, ne, asnjë lajm nga askund”!

Më humbën fjalët sot!!!

Nuk u thashë dot “Derajna do flejë brenda në dimër”. Se para pandemisë i qetësoja duke i paraprirë ecjes së saj në shkallë, jo në baltë e gurë ku fshihen rreziqet e tokës.

Më mundi mirësia e këtyre njerëzve të mundur!

As ata, as unë, as logjika bazë njerëzore, nuk ka kuptim, as peshë, as vend.

Më vrau e vërteta që zvarritej rrezikshëm në tokë, e shpresa e fikur në sytë e këtij njeriu të mirë!

Dikur ofrova mbështetje, ndihmë, reagim!
Sot jam e mundur! Ofroja vetëm lot, që aty mbetën mbështjellë në fyt. Kurse këtu, jo.

Lot tradhëtie, lënie në baltë, inati, pamundësie për të kuptuar: “Pse njeriu nuk ka më vend në këtë vend”?