Në 24 orët e fundit, Durrësi është kthyer në teatrin e radhës të lidërve kryesorë politikë.

Të enjten Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ishin në qytetin bregdetar, ndërsa të premten radha ishte e Ramës me enturazhin e tij qeveritar. Ndërsa Basha dhe Kryemadhi u përqendruan kryesisht në problematikat e durrsakëve të dëmtuar nga tërmeti, kryeministri erdhi të inauguronte shkollën e parë të rindërtuar në kohë rekord në qytetin bregdetar si dhe mblodhi mbështetësit e tij në ish-pikën e grumbullimit të mbetjeve në Porto-Romano, aty ku po ngrihet Eco – Parku.

Edhe më parë kemi përmendur faktin se Durrësi mund të kthehet në fushë betejën e përplasjes politike të vitit të ardhshëm, për vetë problematikat që qyteti buzë detit dhe porti më i madh në vend ka pasur vitin e fundit. Tërmeti dhe pandemia që gjunjëzoi turizmin e kanë goditur rëndë qytetin, por nga ana tjetër opozita prej vitesh i mëshon idesë se Durrësi keqqeveriset nga e majta, kryebashkiakët e së cilës prej 20 vitesh i lënë vendin njëri-tjetrit.

Kryemadhi është angazhuar dy muajt e fundit sidomos në ringritjen e degës nga e para, pas largimit të figurave kryesore me të cilat LSI identifikohej që nga data e krijimit. Madje deklaratat e partisë së saj shkojnë edhe më tej duke bërë ndarjen e prerë me atë çfarë përfaqësonte LSI-ja e dikurshme, si për të hequr nga vetja barrën e rëndë se shumë vendime në dëm të qytetit vitet e kaluara kanë kaluar në Këshillin Bashkiak falë bashkimit të votave të LSI-së me PS-në.

PD-ja që ende nuk ka caktuar drejtuesin politik të qarkut duket disi apatike. Denoncimet janë përqendruar kryesisht tek problematikat e tërmetit të 26 nëntorit, por pa u thelluar realisht në shkaqet që çuan në dëmet kolosale që pësoi qyteti nga fatkeqësia natyrore. Madje edhe lista e kandidatëve të propozuar për deputetë (që ende nuk është përfundimtare) rrotullohej mes figurave që kanë dominuar për mirë apo për keq mes të djathtëve durrsakë në 10 vitet e fundit, duke mbartur me vete edhe ndasitë, grindjet dhe qejfmbetjet që shpesh janë bërë edhe objekt thashethemesh në lokalet rreth selisë së partisë, por edhe më gjerë.

Përballë opozitës Basha-Kryemadhi qëndron Rama me një pushtet 20-vjeçar të konsumuar në Durrës, por me dëshirën e madhe për të mos e lëshuar qytetin ku pleksen interesa të madhe ekonomike dhe okulte. Madje, pak muaj më parë ai hodhi për konsum publik edhe tezën se mund të bëhej deputet i ardhshëm i qytetit bregdetar. Me zgjedhjen e bërë të koordinatorit politik të qarkut, Adrian Çelës, Rama tregoi se fushatën për zgjedhjet e prillit të vitit 2021 po ia besonte sërish duarve të sigurta të krahut të djathtë të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako. Pakënaqësinë e madhe të banorëve të mbetur pa shtëpi nga tërmeti, Rama mundohet ta fashisë me premtimet se së shpejti do të nisin punimet për lagjen e re në Spitallë, megjithëse deri në konkretizimin e projektit me mijëra familje do të duhet të presin të paktën edhe 2 vite për t’u bërë me shtëpi. Ndërsa shembja e pallateve të dëmtuara nga tërmeti vijon ende në Durrës, ende nuk ka nisur ndërtimi i asnjërit prej tyre.

Mes Kryemadhit që bën lapsus dhe shkruan në fletën e gjobës “T’ja çjerrim maskën Edi Ramës më 25 prill 2020”, Bashës që ende po mediton për drejtuesin politik të qarkut dhe Ramës që deklaron se të prekurit nga tërmeti duhet të bëjnë durim, durrsakëve do t’u duhet të zgjedhin të keqen më të vogël!!!

M.B.