TIRANË, 2 maj 2013 –Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë për shpalljen e listave e kandidatëve për deputetë, më 6 maj 2013 do të mbajë punimet konferenca “Zhvillimi i demokracisë nëpërmjet barazisë gjinore” organizuar nga Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, bëri të ditur Edlira Çepani, koordinatore kombëtare.
Kjo konferencë synon të kontribuojë për një pjesëmarrje dhe përfaqësim më të madh të grave në zgjedhjet e vitit.
Organizatorët kanë si objektiv debatin politik për çështjen e përfaqësimit të pamjaftueshëm të grave në pozicione vendimmarrëse dhe u rekomandon aktorëve politikë përfshirjen e çështjeve të rëndësishme për gratë në programet e tyre për zgjedhjet e vitit 2013.
Rritja e ndërgjegjësimit të votuesve duke përfshirë votuesit për herë të parë mbi nevojën për rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave si votuese dhe kandidate me fokus promovimin e barazisë gjinore në politikë dhe vendimmarrje.
Konferenca është mundësi e mëtejshme për të promovuar dhe mbështetur gratë në këtë moment shumë thelbësor të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri, tha Çepani.
Në panelin e parë parashikohet të flasin përfaqësues e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë si ambasadori i BE-së në Shqipëri Ettore Sequi, koordinatorja e Agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Shqipëri Zineb Benjelloun, ambasadori i SHBA Alexandr Arvizu, drejtorja e NDI-së Ana Kovacevic, etj.
Ndërkombëtarët do të ofrojnë praktikat më të mira si dhe do të bëjnë përqasje krahasuese për barazinë gjinore në vendimmarrje në Shqipëri dhe jashtë saj.
Paneli i dytë i folësve do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve kryesore si Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Komisionari për Anti-Diskriminimin, Avokati i Popullit, kryetaret dhe përfaqësueset e forumeve të grave në partitë e ndryshme politike , të cilat janë aktualisht ne parlament dhe përfaqësuese të partive politike, të cilat synojnë të bëhen pjesë e parlamentit shqiptar në vitin 2013, si personat kryesorë për të ofruar një këndvështrim të qartë të situatës aktuale të grave në politikën shqiptare, si dhe për të ofruar rekomandimet përkatëse për të ardhmen.
Pjesa e tretë e konferencës do të jete një sesion pune për të finalizuar rekomandimet si dhe një thirrje për të gjitha partitë politike dhe institucionet kompetente për të mbështetur sa më shumë gratë dhe vajzat në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, duke zbatuar të paktën 30 për qind të kuotave të parashikuara me ligj, mbështetjen e tyre gjatë fushatës zgjedhore, deklaroi koordinatorja kombëtare e Rrjetit të Grave Barazi në Vendimmarrje Edlira Çepani.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





