Policia financiare italiane ka sekuestruar në Portin e Triestes 13 kg e 423 g marijuanë, të fshehur në një makinë me targa shqiptare që udhëtonte nga Greqia në Itali, si dhe ka arrestuar korrierin shqiptar që e transportonte atë.
Në pranga ka përfunduar drejtuesi i automjetit, shqiptari K.L 26 vjeç, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit të dokumenteve në pikën kufitare të portit, shqiptari ka deklaruar se po udhëtonte në Itali për kurim mjekësor, por arsyet e tij nuk e kanë bindur policinë italiane. Kështu, është ushtruar një kontroll më i imët i automjetit.
Lënda narkotike u zbulua me ndihmën e qenve antidrogë e vendosur në një vend të fshehtë në pjesën e pasme të sediljes, e bllokuar me një komandë elektrike.
Në total droga peshonte 13, 423 kg marijuanë e sipas medieve italiane, vlera e saj po të dilte në treg, kapte vlerën e 150 mijë eurove.





