BRUKSEL, 22 prill 2013- Komisioni Evropian miratoi sot rekomandimin për vendet anëtare për hapjen e negociatave për Marrëveshjen për MSA-në me Kosovën, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE. Lajmi u konfirmua nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, i cili publikoi njoftimin në faqen e tij personale në rrjetin social 'Twitter'.
Në raportin e KE-së, për Serbinë vlerësohen hapat e dukshme që qeveria ka bërë në marrëdhëniet me Kosovën.
“Serbia ka bërë hapa konkrete në lehtësimin e dialogut me Kosovën si dhe ka përmbushur kriteret politike dhe kushtet e MSA. Do vijojmë të monitorojmë zhvillimet në Serbi”, thuhet ndër të tjerra në raport.
Ndërkohë, sa i takon Kosovës, raporti i Komisionit Evropian nënvizon hapat domethënëse dhe konstruktive që vendi ka bërë në lehtësimin e dialogut dhe bashkëpunimi i mirë me EULEX.
“Kosova dëshmoi përpjekjet e saj kundër krimit e korrupsionit dhe bashkëpunim të mirë me EULEX. Kosova hapa domethënëse në marrëdhëniet me Serbinë dhe në lehtësimin e dialogut”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se marrëveshja e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovès dhe Serbisë duhet të zbatohet nga të dyja palët.
Kuvendi i Kosovës mbrëmë miratoi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, që ishte një nga kushtet për të marrë rekomandimin për fillimin e negociatave për MSA-së, ndërkohë po sot marrëveshjes iu dha drita jeshile dhe nga qeveria se Serbisë.
Qeveria e Serbisë dhe e Kosovës më 19 prill nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian arritën marrëveshjen historike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve 14 vjet pas përfundimit të luftës dhe pesë vjet pas pavarësisë së shpallur nga Kosova.





