Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit dhe analisti James Hooper, tha se një marrëveshje Kosovë-Serbi ekziston dhe se ajo përfshin elemente territoriale.

Sipas tij gjasat që të ketë një marrëveshje Kosovë – Serbi janë shumë të mëdhaja “duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë dhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Serbi”.

Ai vlerëson qëndrimin e presidentit Thaçi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse por ka shtuar gjithashtu se nuk mund të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa një element territorial.

“Realiteti është se marrëveshja tashmë është negociuar. Marrëveshja ekziston. Në thelb është rënë dakord… Përfshirë një shkëmbim territoresh por jo vetëm shkëmbim territoresh por duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Realiteti është se kjo nuk do të ndryshojë dhe nuk e di se si Albin Kurti do të reagojë për një gjë të tillë si kryeministër. E përsëris se nuk mund të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa një element territorial”, deklaroi Hooper.

Sa i përket rolit të SHBA në këtë proces, ai ka vlerësuar punën e ndihmës sekretarit të Shtetit Philip Reeker dhe Mattheë Palmer që është i dërguari i posaçëm për Ballkanin, duke nënvizuar faktin se ata kanë shumë eksperiencë në negocimin e marrëveshjeve. Nga ana tjetër praninë të dërguarit të posaçëm, Grenell, ai e sheh si shenjë “se këtu ka interesa politike, jo vetëm interesa të politikës së jashtme apo të sigurisë kombëtare, por edhe të tjera”. Sa i përket këtyre interesave, Hooper mendon se është përpjekja e Uashingtonit që “të rrisë shanset që Gjermania të jetë më akomoduese, më elastike dhe më mbështetëse për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, sepse herën e fundit ata e hodhën poshtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse”./VOA