12 janar 2014 – Jo çdo gjë shkoi mirë e bukur në takimin e parë historik të dy qeverive shqiptare, të Tiranës dhe Kosovës, e mbajtur në qytetin e Prizrenit. Ndonëse ishte një rast i vetëm, një person shprehu publikisht, në mjedisin përpara hotelit ku zhvillohej mbledhje e përbashkët e dy qeverive shqiptare, zemërimin e tij ndaj kryeministrit Edi Rama. Kjo ndodhi u shënua si një incident, ku një person ka shprehur publikisht mendimin dhe qëndrimin e tij të kundër ndaj kryeministrit Edi Rama. Ngjarja ka ndodhur jashtë hotelit "Theranda", ku po zhvillohej mbledhja e përbashkët mes dy vendeve, në cilën gjendeshin edhe kryeministrat Rama dhe Thaçi. Personi në fjalë, u arrestua nga policia kosovare. Është hera e parë që në Kosovë shprehet publikisht, një zemërim i hapur ndaj një kryeministri shqiptar, sikurse ishte fyerja që u bë nga personi i arrestuar kundër Edi Ramës. Askush nuk mund të shpjegojë çfarë e shtyu personin që të fyente kryeministrin shqiptar, pasi nga ai nuk u dëgjua ndonjë arsye përse ai shprehu zemërim kundër kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar se Shqipëria dhe Kosova kanë të ardhme të përbashkët. Në mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, Thaçi u shpreh se ekspertët tanë do të punojnë bashkërisht për shqyrtimin e marrëveshjeve të mëparshme mes dy vendeve dhe identifikimin e fushave të tjera, ku mund të thellohet bashkëpunimi. “Edhe qëllimi i këtij takimi është përshpejtimi e përmirësimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe zgjerimi e thellimi i bashkëpunimit përmes hartimit të marrëveshjeve të reja”, tha ai. Sipas tij, të dy vendet duhet të kapitalizojnë mundësitë e jashtëzakonshme që ofrohen nga përmirësimi i infrastrukturës fizike ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, ai u shpreh se rruga e Kombit duhet të rezultojë me një qarkullim më masiv e intensiv të njerëzve, mallrave e kapitaleve. Po ashtu, theksoi ai, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit duhet të përkthehet në një integrim të dy sistemeve energjetike.





