Një prokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren akuzohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”. Ndaj prokurorit M.B. është ngritur një akt-akuzë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, teksa nga ana tjetër akuzohen për veprën penale të “dhënies së ryshfetit” personat me iniciale Sh.P. dhe N.O.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se M.B. pranoi ofertën apo dhuratën në shumën prej 20 mijë eurove në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarve për trafik droge: N.O., U.S. dhe A.S.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa Sh.P. dhe N.O i dhanë në mënyrë të drejtpërdrejtë ryshfet prokurorit për heqjen dorë nga akt-akuza ndaj personave të lartpërmendur.

“Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale”, thuhet në njoftim.