Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë sot vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Veri.

Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se lista votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve, 1 mijë e 189 më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022. Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit me gjithsej 74 vendvotime”, tha Elezi.