Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Qafë Thanës, në aksin Pogradec – Prrenjas. Mësohet se një autobus me nxënës gjimnazistë është përmbysur duke rënë afër greminës e për pasojë kanë pësuar lëndime e janë plagosur disa prej tyre.

Ndërkohë një prej personave që ndodhej në autobus ka njoftuar policinë e Pogradecit dhe të Prenjasit por asnjë prej komisariateve nuk e ka marrë përsipër duke ia lënë përgjegjësinë palës tjetër.

Sipas telefonuesit vetëm një ambulancë ka shkuar në vendin e aksidentit, ndërkohë që kanë qenë rreth 17 persona të plagosur apo me lëndime.

Pas aksidentit të sotëm, dëshmitarët tregojnë momentet e tmerrit.

“Ishte tmerr. Janë hedhur nxënësit nga dritaret për të dalë se autobusi kishte ngelur gjysmë në rrugë e gjysmë në greminë”,tregon një prej dëshmitarëve të aksidentit në Përrenjas, i cili ka qenë në një makinë private pas autobusit kur ka ndodhur aksidenti dhe më pas iu ka dhënë ndihmë nxënësve nga Roskoveci që i kanë shpëtuar vdekjes mrekullisht sot kur ishin nisur për një ekskursion.