Policia e Tiranës ka arrestuar një të ri, i akuzuar për vjedhjen e përsëritur të kishës së “Shna Ndoit” dhe për dy vjedhje të tjera në kryeqytet.

Në pranga ka rënë 31-vjeçari Arif Mançe, banues në kryeqytet, i dënuar edhe më parë për vjedhje.

Ai u kap në flagrancë në rrugën “Qemal Stafa” me disa materiale të vjedhura në një zyrë te “Pazari i Ri”, ku ka marrë dy trapanë, një gur fresibël dhe një kompjuter.

31-vjeçari akuzohet po ashtu për vjedhjen e përsëritur të kutive prej druri me lekët e lëna nga besimtarët në Kishën e Shna – Ndoit, në rrugën “Xhemal Tafaj”, në datat 13 janar, 3 dhe 18 shkurt 2018.

Mançe akuzohet se është autor edhe i vjedhjes së një zyre në rrugën “Prokop Myzeqari” ku ka vjedhur një laptop dhe një kompjuter.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor edhe të tjera vjedhjeve që ai dyshohet se mund të ketë kryer.