Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane e Como-s, pasditen e djeshme.

Mediat fqinje raportojnë se i arrestuari është shtetasi me iniciale E.M., 39 vjeç, banor i ligjshëm i zonës së Cantù, i cili punonte si murator. Raportohet se shqiptari ishte me precedentë në fushën e drogës, pasi ishte kapur për tregtimin e kokainës.

Ditët e fundit, në Cantù, një vend afër Milanos, agjentët ishin duke kontrolluar disa të varur nga droga, të cilët kishin kokainë.

Ata kishin ‘nuhatur’ se furnizuesi ishte një banor në atë zonë dhe pikërisht këtu nisën hetimet, të cilat çuan në identifikimin e personit dhe gjurmimin e tij.

Ndjekja e shqiptarit zgjati për disa ditë dhe përfundoi dje, pasi agjentët vunë re dy persona që shkëmbenin shpejt diçka. Një nga të dy ishte shtetasi E.M.