Dy apartamente në një pallat shumëkatësh, në katin e shtatë dhe tetë, janë djegur plotësisht gjatë natës duke sjellë panik tek të gjithë banorët.

Zjarri i përmasave të mëdha është vënë re rreth orës 23:00 ndërsa për ta vënë nën kontroll u është dashur disa orë punë 5 makinave zjarrfikëse dhe personelit të këtij shërbimi.

Si rezultat i flakëve mbi 20 banorë të pallatit që u shpëtuan nga asfiksia dhe një zjarrfikës u dërguan në spital dhe pas mjekimeve dhe kontrollit mjekësor janë nisur për në shtëpitë e tyre jashtë rrezikut për jetën disa orë më pas.

Burimet nga spitali rajonal bënë me dije se banorët e pallatit kanë qëndruar deri sa u janë bërë kontrollet mjekësore dhe ju është dhënë ndihma e parë atyre me asfiksi.

Energjia elektrike u stakua pas flakëve të zjarrit duke bërë që ashensori i pallatit të dalë jashtë funksioni. Katet e sipërme u bllokuan nga tymi duke bërë që banorët të kërkonin ndihmë për evakuim pasi edhe kalimi nga shkallët u bë i pamundur.

Banorët e kateve të sipërme janë shpëtuar nga një autoshkallë e cila i transportonte nga një ballkon i katit të tetë në tokë banorët. Fillimisht janë shpëtuar prindërit me fëmijë të vegjël.

Moti ka qenë në disfavor ndërsa shiu i rrëmbyeshëm ka vështirësuar operacionin e zjarrfikësve për të shpëtuar banorët e pallatit në lagjen 1. Midis të evakuuarve ishte një e moshuar e paralizuar. Katër autoambulanca dërgonin në spital çdo banor të shpëtuar ndërsa operacioni zgjati deri rreth mëngjesit.

Ekspertiza ka nisur veprimet hetimore në vendin e ngjarjes në mëngjes ndërsa shkak i zjarrit dyshohet se është një shkëndijë elektrike paraprakisht.

Zjarrfikësit pa frikë mund të quhen heronjtë e heshtur të natës të cilët në kushte shumë të vështira kanë shpëtuar banorët ndërsa nuk është shënuar asnjë viktimë.

K.H.