Vetëm 23 minuta pas atentatit me dy të vrarë në një hotel në Laç, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në një hotel në Rrugën e Dibrës në Tiranë.

Nëse ngjarja në kryeqytet, ndonëse pa pasoja, vetëm me dëme materiale, ishte rrjedhojë e ngjarjes së rëndë në Kurbin, këtë Policia nuk e thotë ende. Megjithëse burimet thonë se po hetojnë një lidhje të mundshme mes tyre.

Në orën 22:17, në Laç u ekzekutua në atentat Bujar Lika (Hasani), i cili njihet si një ndër miqtë më të afërt të Ervis Martinajt. Ndërsa në orën 22:40, në Tiranë, ndodhi shpërthimi i tritolit pranë hotelit në pronësi të babait të Ervin Matës, i përfshirë në një tjetër krim që tronditi Tiranën 2 vite më parë, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj.

Krimi i rëndë më Laç dhe shpërthimi në Tiranë duket se kanë një emërues të përbashkët, edhe pse ende nuk ka prova konkrete që t’i lidhin këto dy krime me njëri-tjetrin.

SHPËRTHIMI

Një sasi tritoli, që dyshohet të ketë qenë 100-200 gramë, shpërtheu mbrëmjen e së shtunës në Rrugën e Dibrës në Tiranë. Lënda plasëse u hodh e më pas shpërtheu mes dy bizneseve, hotel “Victoria” dhe një lokali bar-kafe.

Burime zyrtare të Policisë thanë se pati vetëm dëme të vogla materiale e për fat të mirë, asnjë person të lënduar. Kjo, për arsye se të dyja bizneset ishin të mbyllura në momentin e shpërthimit, që sipas Policisë ishte paralajmërues. Të paktën, me aq sa shihet në vendin e ngjarjes, tritoli ka hapur një gropë në murin e hotelit, si dhe ka thyer disa xhama të tij dhe të lokalit përbri.

Ndonëse dëshmitarët, banorë që jetojnë pranë vendit të ngjarjes, tregojnë për një shpërthim mjaft të fortë, që ka tronditur shtëpitë e tyre. Hotel “Victoria” rezulton të jetë në pronësi të Luan Matës, babait të Ervin Matës, i hetuar për vrasjen e ndodhur në lokalin “Monopol” në ish-Bllok, mbrëmjen e 4 tetorit të vitit 2018.

Burimet thanë se paraprakisht, pista kryesore ku po hetohet është ajo e një mesazhi kërcënues e paralajmërues ndaj Ervin Matës. Pas ngjarjes së dy viteve më parë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha e u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato, Ervin Mata u vetëdorëzua në Polici pas disa muajsh arrati, por Gjykata e liroi brenda pak ditësh, duke i caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.

TË DËMTUARIT

Shpërthimi i eksplozivit që është hedhur nga një makinë në rrugën mes hotelit dhe lokalit, ka shkaktuar dëme materiale në të dyja këto biznese. Menjëherë pas ngjarjes, Policia mori në pyetje Luan Matën, pronarin e hotelit, babanë e Ervin Matës, i cili ka mohuar të ketë pasur kërcënime më parë apo konflikte me ndonjë person.

Burimet thanë se është pyetur gjithashtu edhe shtetasi K. Gozhita, pronari i lokalit që gjithashtu pësoi dëmtime nga shpërthimi. Edhe ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se nuk ka probleme me njeri. Ndërsa Policia thotë se të dy pronarët e bizneseve të dëmtuara janë persona pa precedentë penalë.

Policia e Tiranës: Ende nuk dihet objektivi

Policia e Tiranës tha të shtunën se në një rrugë të ndërmjetme mes një hoteli dhe një lokali ka shpërthyer një sasi e dyshuar tritoli, por nuk dihet objektivi. “Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në Rrugën e Dibrës, ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasëse. Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale te të dyja objektet. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.

Ervin Mata u lirua nga Gjykata 2 ditë pas vetëdorëzimit

Dy ditë pasi u vetëdorëzua në Polici, edhe pse për 5 muaj iu shmang drejtësisë, Ervin Mata është lënë i lirë nga Gjykata e Tiranës më 4 maj të vitit të kaluar. Vetë Mata, i cili njihej edhe si i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, nuk ishte i pranishëm në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë, por përfaqësohej nga avokati i tij, Alban Bengasi. Ndonëse me herët Gjykata kishte vendosur në mungesë masën “Arrest me burg”, të cilën e kërkoi sërish prokurori i çështjes, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi ta ndryshojë atë në “Detyrim paraqitjeje”.

Prokuroria nuk ka qenë dakord me vendimin e dhënë, pasi gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura ka kërkuar “Arrest me burg”. Mbi 33-vjeçarin Ervin Mata ishin ngritur akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje. Sipas vendimit të Gjykatës, ai do hetohej edhe në vazhdim për përfshirjen ose jo në vrasjen e Fabian Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt, mbrëmjen e 4 tetorit 2018, në zonën ish-Bllokut në Tiranë. Megjithatë, gjatë hetimeve u vendos që ai nuk do të qëndronte në burg.

Të gjithë personat që u arrestuan për ngjarjen e dy viteve më parë janë liruar nga drejtësia. Në kërkim vazhdon të jetë vetëm ish-komandoja Mevjol Bilo, që sipas dosjes së Prokurorisë, është personi që ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vrarë Fabian Gaxhën dhe plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haton. Në dosje shpjegohen veprimet hetimore dhe e gjithë dinamika e ngjarjes.

Aty theksohet se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut kishte pasur një konflikt, në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, Ervin Mata. Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti, i cili kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e së cilës, Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij. 

Panorama.al