Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në makinën e presidentit të ekipit të Kamzës, Naim Qarri, duke shkaktuar dëmtimin e pjesshëm të saj.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Bathores në Tiranë. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, pasi automjeti tip “Hummer” ka qenë i parkuar në momentin kur është aktivizuar lënda plasëse.

Në kohën kur ndodhi ngjarja, Qarri ndodhej në lokalin pranë të cilit e kishte parkuar makinën. Sapo është ndierë shpërthimi, të gjithë personat që ndodheshin në lokal kanë dalë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur e më pas kanë lajmëruar Policinë. Policia tha zyrtarisht se është njoftuar përmes një telefonate të mbërritur në numrin e emergjencave, rreth orës 20:30.

Burime nga grupi hetimor thanë se paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një sasi të vogël eksplozivi, rreth 50 gramë tritol, që ka shpërthyer në pjesën e përparme të mjetit. Mësohet se autorët kanë thyer xhamin e makinës dhe kanë hedhur lëndën plasëse në sediljen e pasagjerit.

 Nnga policia është pyetur paraprakisht në vendngjarje pronari i mjetit, Naim Qarri, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim konkret për autorësinë, pasi nuk ka probleme me njeri.

Megjithatë, burimet thanë se po hetohet për ndonjë çështje të mundshme borxhesh. Vetë presidenti i ekipit të futbollit të Kamzës u shpreh nga vendi i ngjarjes se nuk i ka borxhe askujt dhe nuk ka asnjë ide se kush mund të jetë autori i ngjarjes.