Një atentat me armë zjarri me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur ka ndodhur në fshatin Poro të njësisë administrative Novosele rreth orës 01:10. Si pasojë e të shtënave me breshëri kallashnikovi ka humbur jetën rrugës për në spital 22-vjeçari Sotiraq (Raqi) Mëhilli ndërsa është plagosur rëndë Eno Mata 32 vjeç.

I plagosuri ka marrë plumba në trup dhe në këmbë, e si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar për në spitalin e Tiranës.

Të dy personat që u bënë shenjestër e atentatit po udhëtonin me motorr në momentin kur janë qëlluar me kallashnikov. Mësohet se ata kanë lidhje shoqërore me njëri-tjetrin ndërsa shenjestra e atentatit dyshohet të ketë qënë i plagosuri, Eno Mata.

Njoftimi i policisë:

Më datë 27.05.2019, rreth orës 01:10, në fshatin Poro (rrugë) në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë në drejtim të shtetasve E.M dhe S.M të cilët po udhëtonin me motorr. Si pasojë të dy shtetasit janë plagosur, ku rrugës për në spital ka ndërruar jetë 22-vjeçari S.M, ndërsa shtetasi E.M, 32 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Forca të shumta të Policisë Vlorë dhe FNSH-së po krehin zonën, ku në fshatin Bishan është konstatuar duke u djegur një automjet tip Mercedes Benz, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autori/rët.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.