Gjykata e Shkodrës liroi me garanci pasurore dy inspektorët e bashkisë së Shkodrës që u arrestuan dy ditë më parë nga policia.

Inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër Bledar Pori, 32 vjeç Isa Mandia, 63 vjeç i kanë mohuar akuzat, ku përmes avokatit të tyre e cilësuan të paligjshëm arrestimin. Prokuroria kërkoi arrestimin e tyre ndërkohë që Gjykatësi Hasan Selimi vendosi lirimin e të ndaluarve kundrejt garancisë pasurore.

Inspektorët e Taksave në Bashki, akuzohen për korrupsion pasiv duke falsifikuar dokumentet në këmbim të marrjes së ryshfetit në një hotel në plazhin e Velipojës. Sipas policisë, ata kanë favorizuar pronarin e një hoteli në Velipojë, për fshehje të të ardhurave, ndërkohë që vetë pronari P. A., 36 vjeç po hetohet në gjendje të lirë. Inspektorët e kanë favorizuar të mos deklarojë numrin e saktë të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.

Për të njëjtën akuzë është shpallur në kërkim Denis Hoxha 32 vjeç.