Ekspertiza greke ka dalë në përfundimin se 48-vjeçari Mirash Luli nga Lezha, që u gjet i vdekur në Selanik më 17 shkurt, nuk u vra nga djali, por i pushoi zemra, duke liruar nga akuza 20-vjeçarin e arrestuar më herët me dyshimin për vrasje.

Ekspertiza mjekoligjore ka faktuar se vdekja e 48-vjeçarit ishte si pasojë e shkaqeve shëndetësore, dhe ka liruar nga akuza e vrasjes djalin 20 vjeçar. Gjykata e Selanikut përballë këtyre provave zyrtare, e ka shpallur të riun të pafajshëm dhe e ka liruar nga burgu.

Trupi i pajetë i viktimës ka mbërritur një natë më parë në familjen që banon në Tale të Lezhës, ku do ti jepet edhe lamtumira e fundit. Me vendimet zyrtare në dorë, vëllai i viktimës, Agustin Luli theksoi pafajësinë e të nipit ndërsa kritikoi raportimet që sipas tij i kanë krijuar shqetësime familjes.

"Është ndaluar djali i tij për një dyshim siç thoshin mediat greke. Punët e shtetit ato, verifikimet e tyre. Dje në orën 10 ka dhënë vendimin gjykata që e kemi me letra dhe dokumenta greke që janë të vulosura dhe të firmosura".

Mirash Luli u gjet i pajetë në një park lojërash, ndërsa policia gjeti edhe gjurmë gjaku, por ekspertiza ka arritur në përfundimin se 48-vjeçari ndërroi jetë pasi i pushoi zemra.