Gjendet një kafkë njeriu në Preveza të Greqisë. Ishte një punëtor pastrimi, i cili teksa po punonte me pastrimin e një kanali pranë një zone industriale në Prevezë, Greqi, kazma e tij është ndeshur me një kafkë njeriu.

Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka filluar hetimet për rastin, ndërsa kafka është dërguar në një laborator në Athinë. Dyshimet e para janë se kafka e gjetur mund t`i përkasë 26-vjeçarit shqiptar Bledar Terpollari, nga Skrapari, trupi i të cilit u gjet pa kokë dy vite më parë.

Për këtë vrasje janë dënuar në Greqi dy shqiptarë. Në vendimin e Gjykatës thuhej që vrasja ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të drogës. Autorësinë e krimit e mori përsipër, Krenar Terpollari, atëherë 27 vjeç, i cili u dorëzua në policinë e Tiranës. Viktima i kishte borxh vrasësve 20 mijë euro të fituara nga shitja e drogës në Greqi. Bledar Terpollari nga Backa e Skraparit u vra pranë kufirit shqiptaro-grek ne Gliki, Igumenicë. Ai është varrosur pa kokë, pasi ajo nuk u gjet kurrë.