Ky është momenti i arrestimit të 38-vjeçarit Tesilvan Basho gjatë operacionit “Selenica”. Me veshje sportive, një çantë marsup në mes, Basho, i konsideruar person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore është gjunjëzuar nga forcat e policisë dhe me duart pas kokës prangoset.

Basho ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion.

Në 2016-n ai është arratisur nga burgu i Rebibbos në Itali. Po gjatë operacionit të paradites së sotme, forcat e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin edhe të shtetasit Satilno Basho, 33 vjeç, banues në Vlorë, vëllai i Tesi Bashos. Për këtë shtetas kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100 000 euro një shtetas. Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.