Erzen Uka, ish-komandoja i arrestuar si person i dyshuar për terrorizëm, ka kërcënuar gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beci në sallën e gjyqit.

Sot ai kishte dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë. Megjithatë, seanca nuk ka kaluar pa tensione. Erzen Uka lëshoi deklarata kërcënuese ndaj gjyqtarit dhe prokurorit të çështjes, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.

“Mos kujtoni se do të qëndroj të gjithë kohën këtu brenda. Sa të dal do t’iua tregoj për këtë që po bëni. Do të paguani për këtë që po bëni. Allahu do të marrë hak”, tha ekstremisti.

Ish-komandoja nga Kruja u arrestua nga Zyra e Antiterrorit në Policinë e Shtetit pasi dyshohet si person me prirje radikale dhe që ka nxitur urrejtje me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Prej dy vitesh ai hetohej nga Krimet e Rënda. I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.

Në kanalin personal në YouTube ai ka postuar video ku shihen dy djemtë e tij të mitur, duke u stërvitur. 29-vjeçari është i divorcuar dhe ka qenë i proceduar me parë për “dhunë në familje”. Pas divorcit kujdestarinë e dy fëmijëve e fitoi ish-bashkëshortja, por vendimi i Gjykatës nuk u zbatua.