Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i cili ishte në kërkim për shkak se është dënuar me 20 vite burg për vrasje. Ka qenë një telefonatë në polici që ka çuar në arrestimin e 28 vjeçarit dhe që, sipas autoriteteve, ka shmangur një tjetër vrasje.

Rreth orës 20:50 është marrë njoftimi së në rrugën “Bilal Xhaferi”, pranë liqenit artificial në kryeqytet, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”.

Më datë 10.05.2014, në një lokal me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjeter.

Pas denoncimit, policia thotë se ky është rasti më i mirë për të falënderuar edhe njëherë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata po krijojnë çdo ditë e më shumë.