Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi kundrejt përfitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, transportonin shtetas nga vendet e treta.

Nga burimet zyrtare mësohet se të arrestuarit, shtetasit: K. Z., 21 vjeç dhe R. D., 37 vjeç, ishin të dy të dënuar më parë për vepra penale.

NJOFTIMI I POLICISË

Policia parandalon dhe godet një tjetër rast të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve.

Transportonin shtetas nga vendet e treta, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, vihen në pranga dy shtetas.

Nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, u godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• K. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”);

• R. D., 37 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë në Maqedoni, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”);

Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”, me një mjet fuoristradë tip “BMW”, me drejtues shtetasin R. D., duke transportuar 2 shtetas të huaj ( emigrantë të paligjshëm), të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.