Seanca gjyqësore ndaj 4 të pandehurve për vrasjen e të riut Marvi Mihali është zhvilluar mes diskutimesh. Sot pritej të lexoheshin konkluzionet e mbrojtjes, por për shkak të diskutimeve mes familjarëve të viktimës dhe autorëve, gjykata vendosi të shtyj seancën.

Sipas familjarëve të Marvi Mihalit, gjatë kësaj kohe ata kanë pritur një ndjesë nga ana familjarëve të autorëve, por nuk e kanë marrë një gjë të tillë.  Ndërsa një prind i një prej të pandehurve ka pretenduar se Mira dhe Pavllo Mihali kanë kërkuar dëmshpërblim monetar për vrasjen e të birit.

“Fyeva në sallën e gjyqit sepse i ktheva kusurin. Ata kërkuan dëmshpërblim, ata duan lekët. Nuk kam dashur t’i kthehem ballë përballë për t’i respektuar dhimbjen, po ai është sjellë si fëmijë”, tha ai.

Jahtë ambienteve të gjykatës, e ëma e Mihalit, akuzoi drejtorin e policisë gjyqësore se ka intimiduar dëshmitarët, ndërsa shtoi se do të vendosin drejtësinë me çdo kusht.

"Nuk do ndaloj asnjë minutë, deri në fund. Deri më sot kemi thënë që do presim drejtësinë. Sot e tutje po them: Drejtësinë do ta vendos me çdo kusht deri sa të kem frymë. Nuk do rri më duke recituar Migjenin “si nuk kam një grusht të fuqishëm”. Boll i kam duruar baballarët e kriminelave, duke më prekur, duke më hedhur vështrime. Nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe tani vazhdon ngrihet atje dhe gënjen edhe shpif. Unë nuk e di ky gjyq vendoset për të bërë drejtësi për Marvin Mihalin apo për t’i lehtësuar. Edhe prokurori tha, Eugeni të dënohet 18 vjet se ka lehtësi që është dorëzuar. S’është dorëzuar, e nxorri ai Artan Lulaj. E nxorri ai, ishte brenda. Siç ikën ata dy të tjerët që po bëjnë pushime nëpër ishujt e Greqisë. Kurse djali im po tretet në dhe. Unë do ta ndjek deri në një këtë çështje, por jam shumë e prekur nga shpifje të tilla. Ja therrshin djalin me thika atje në burg. Ja derdhshin gjaku atje dhe ta shikojë. Do bëjnë dot pazare. Ka çmim për gjakun e fëmijëve të tyre? A ka çmim? E provofshin në kurrizin e vet dhimbjen e madhe që po provoj unë çdo ditë që po kalon".