Një i burgosur shqiptar në burgun e Fleury-Mérogis në Francë, i ka dhënë fund jetës. Mediat francize shkruajnë se Aleksandër Hasalla I cili u gjet i vetëvarur në qelinë e tij, ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2016.

38-vjeçari akuzohet se ka furnizuar me armë në mënyrë indirekte terroristin e masakrës së Nicës që kreu sulm vetëvrasës. Sipas mediave franceze ai kishte pasur rol periferik gjatë sulmit terrorist në Nicë më 14 korrik 2016, ku mbetën të vrarë 86 persona dhe u plagosën 450 të tjerë duke u përplasur me kamion.

Shqiptari akuzohet se i kishte siguruar terroristit një kallashnikov dhe një pistoletë automatike. Aleksandër Hasalla ishte i njohur nga autoritetet franceze për grabitje në të kaluarën, por akuza për ta lidhur atë me aktin terrorist nuk është provuar plotësisht.

Sipas shtypit francez, ai u kishte dhënë armët një çifti shqiptar dhe këta të fundit më pas ia kishin shitur terroristit të Nicës. Por, një hetues ka thënë për “Le Telegramme” se pyetja qëndron në faktin nëse Aleksandër Hasalla ka qenë i vetëdijshëm që armët do t’i jepeshin një terroristi apo jo. Deri tani kjo pistë nuk është vërtetuar dhe këto akuza mbeten në nivelin e dyshimeve.