Policia e Shtetit ka organizuar një tjetër operacion kundër emigracionit të paligjshëm në qarkun e Korçës, ku janë vënë në pranga 3 persona si dhe u ndaluan 14 emigrantë të paligjshëm.

Në kuadër të operacionit “Perimetri” u arrestuan Orion Bali, 32 vjeç, banues në Tiranë, Adi Mullalli 27 vjeç, banues në Zëmblak si dhe Ermond Goga, 27 vjeç, banues në Krujë, të cilët me automjetet e tyre transportonin emigrantët e paligjshëm.

Këta shtetas dyshohet se iu kishin marrë nga 100 euro emigrantëve për t’i transportuar ata drejt kufirit me Malin e Zi.

Njoftimi i Policisë:

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: 

–  O. B., 32 vjeç, banues në Farkë, Tiranë dhe A. M., 27 vjeç, banues në Zëmblak, Maliq, pasi këta shtetas janë kapur në vendin e quajtur “Lumi i Vërdovës” në Pogradec, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin me mjetet tip “Suzuki” dhe “Benz” në drejtim të Tiranës, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

– E. G., 27 vjeç, banues në Krujë, pasi ky shtetas u kap nga shërbimet e policisë në unazën e qytetit të Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Mitsubishi”, 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 100 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.