Dalin detaje nga aksidenti i ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pishkash, në aksin Përrenjas-Librazhd. Mësohet se viktimë ka mbetur Ardian Vreto, vëllai i kryetarit të degës së PD-së në Librazhd, Bujar Vretos.

45-vjeçari Ardian Vreto ka qenë më parë punonjës policie në Librazhd, por prej disa kohësh nuk e ushtronte më këtë detyrë. Gjithashtu kanë mbetur të plagosur dhe një çift bashkëshortësh nga Durrësi, të quajtur Adnan dhe Frida Sota.

Nga informacionet paraprake, ende nuk bëhet me dije shkaku i përplasjes së dy automjeteve tip “Benz” dhe “Audi”. Ndërkohë të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.