DVP Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana ka arrestuar një tjetër person në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Operacioni policor i koduar "Yrsheku", ka vënë në pranga shtetasin M. P., 54 vjeç, banues në Tiranë, i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano me 13 vite e 6 muaj burg, për "Trafikim të lëndëve narkotike" dhe "Organizatë kriminale".

NJOFTIMI I POLICISË 

Lokalizohet, kapet dhe ndalohet një shtetas shqiptar, i dënuar me 13 vite e 6 muaj burg nga drejtësia italiane, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.

Seksioni i Kërkimit në D.V.P.Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana falë një pune të mirëorganizuar hetimore, lokalizoi, kapi dhe ndaloi në zonën e Yrshekut, në Kashar, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

– M. P., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar një ditë më parë nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 13 vite e 6 muaj burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.