Plumba ndaj “Benz”-it të parkuar në oborrin e shtëpisë, 28-vjeçari denoncon rastin në polici.

Vetëm një javë, nga operacioni policor “Forca e ligjit” që tentoi të godasë pjesëtarë të grupeve kriminale në Nikël të Krujës, rikthehen ngjarjet e rënda në qytet.

Policia e qarkut të Durrësit, në njoftimin e saj për shtyp bën të ditur se “më datë 17.09.2018 ka bërë kallëzim shtetasi A.I., 28 vjeç, banues në Krujë, pasi persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip 'Benz', i parkuar në oborrin e banesës. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes”.

Lidhur me këtë ngjarje, pas interesimit të DurrësLajm, policia konfirmon se i riu që ka në pronësi mjetin e goditur me armë zjarri nuk është person me precedent penal.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimin mbi ngjarjen dhe veprat penale për të cilën akuzohen personat e përfshirë në të (deri tani të paidentifikuar) janë “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.   

Duket se autorët kanë dashur t’i bëjnë një paralajmërim 28-vjeçarit apo familjes së tij me plumbat ndaj automjetit. Fatmirësisht ambientet e tjera të shtëpisë nuk janë goditur nga plumbat, por ngjarja ka shkaktuar frikë tek familja e 28-vjeçarit A.I.

Në datë 9 shtator, në njoftimin për shtyp lidhur me rezultatet e operacionit “Forca e ligjit” në Krujë, policia njoftonte“Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarine e grupeve kriminale ne Nikël të Krujës, zhvilluar keto hetime ne kuader te operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe në funksion te hetimeve te ngjarjeve te fundit kriminale te ndodhura, Policia e Shtetit, perkatesisht Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, trupat e posaçme operacionale ne bashkepunim me Prokurorine, kanë arritur te ndalojne në Nikël të Krujës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të larte, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe më gjerë”.

Policia vuri në pranga 5 persona, por 3 ditë më parë gjykata e Krujës la në burgYlli Çangun, Valter Bamin, Skënder Lezën dhe Markelen Hakën, ndërsa Lutfi Haka është lënë i lirë.

Pavarësisht goditjes policore, ngjarja e së hënës është dëshmi e faktit se zona e Krujës dhe Fushë Krujës mbetet ende një vatër e nxehtë, pasi jo pak herë në media është folur se pikërisht në këto zona fshihen disa nga autorët e disa ngjarjeve të rënda penale që kanë tronditur opinionin publik.