Policia e Korçës ka arrestuar tre persona, në Voskopojë, për veprën penale “ndërtim pa leje”, si dhe ka shpallur në kërkim pronarin e ndërtesës ku po kryheshin punimet.

Të arrestuarit janë: Ilia Kokoneshi, 45-vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, Festim Kupe, 44-vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë dhe Enea Kupe, 34-vjeç, banues në fshatin Turan, Korçë,

Njoftimi i policisë:

U kapën duke kryer ndërtime pa leje, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim pronari i ndërtesës ku po kryheshin punimet.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, gjatë kontrollit të territorit të ushtruar në fshatin Voskopojë, Korçë, kanë konstatuar ndërtimin e një objekti pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasve Ilia Kokoneshi, 45 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, Festim Kupe, 44 vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë dhe Enea Kupe, 34 vjeç, banues në fshatin Turan, Korçë, të cilët u kapën duke kryer punime në këtë objekt.

Gjithashtu u shpall në kërkim pronari i ndërtesës, shtetasi A. Sh., banues në Tiranë, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se nuk dispononte leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.