Një tjetër kushëri i ish-ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është në kërkim nga autoritetet italiane si pjesë e bandës së drejtuar nga vëllai i tij, Moisi Habilaj, i vënë dje në pranga në Itali.

Në dosjen me 416 faqe të autoriteteve italiane, thuhet se janë edhe katër shqiptarë të shpallur në kërkim si anëtarë të bandës kriminale që merret me trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali. Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe Armando Sulaj dhe Nezar Saiti.

Ndërkohë, një ditë më parë në Itali u arrestuan 7 persona, 4 italianë dhe tre shqiptarëve, mes të cilëve edhe i konsideruari kapo i bandës, Moisi Habilaj. Ai është kushëri i largët me ish-ministrin Tahiri, ndërkohë që në përgjimet ambientale që i janë bërë Habilajt, ai përmend Tahirin si kushëririn e tij që e ka mbështetur në trafik dhe që i detyrohet 30 mijë euro. Dy shqiptarët e tjerë të arrestuar djë në Itali janë Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj.

Në një deklaratë për mediat sot nga kryesia e Kuvendit, Saimir Tahiri, deputet në Kuvendin e Shqipërisë u vetëdeklaruar i pafajshëm dhe sqaroi se me Habiljat është kushëri i 10-të, por se nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin kriminal ku ata pretendojnë përfshirjen e tyre. 

Emri i përmendur në përgjime sipas Tahirit është siç dy kriminelë mund të thonë emra politikanësh për t’u mburrur përballë njëri-tjetrit. Tahiri i kërkoi prokurorisë ta hetojë deri në fund edhe pse nuk hoqi dorë nga posti i deputetit, i cili i jep imunitet përballë hetimit.