Një shqiptar 48-vjeçar ka plagosur rëndë me thikë bashkëshorten e tij, një grua 37-vjeçare me të cilën ishte në proces divorci. Sipas medieve italiane, ngjarja ka ndodhur në qytetin Suzzara, ku burri shqiptar e ka ndjekur gruan në parkimin e një qendre tregtare, e ka ofenduar dhe më pas nisi ta qëllojë pa pushim me thikë.

Ngjarja ka ndodhur në mes të disa njerëzve, kalimtarë të shumtë të cilët ndërhynë duke i shpëtuar jetën gruas. Shqiptari, i mbytur në gjak nga plagët e shumta që i shkaktoi ish-gruas, u kap në një shesh jo shumë larg vendit të sulmit.

Ai ishte fshehur mes dy makinave, por karabinierët arritën ta vënë në pranga shumë shpejt. Ai tashmë ndodhet në një spital në Mantua, për të trajtuar plagët që mori në duar teksa godiste gruan.

Edhe ish-bashkëshortja iu nënshtrua trajtimit intensiv mjekësor, ku raportohet se tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën. Lidhur me motivet e ngjarjes së rëndë, karabinierët janë duke hetuar mbi pistën e asistencës ekonomike që burri duhej të jepte pas divorcit, për tre fëmijët e tyre.