Tre persona kanë humbur jetën vetëm gjatë pasdites së kësaj të diele, në 3 aksidente të ndryshme rrugore në vend.

Një këmbësor në Fier humbi jetën pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40, në By Pass-in Levan-Fier, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Baltëzës”. Viktima është një këmbësor 59-vjeçar me iniciale S. S. Ai u përplas nga një makinë në timonin e së cilës ndodhej 59-vjeçari Gj. Z., banues në Tiranë. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, autoritetet policore shoqëruan shoferin dhe nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit. 

Më herët, një tjetër këmbësor u përplas për vdekje në afërsi të një karburanti, në Ishull Lezhë.

Ndërsa në Tiranë, te shkallët e Tujanit, një 68-vjeçar humbi jetën, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur, pasi shoferi i automjetit me të cilin udhëtonin humbi kontrollin e makinës.