Tre shoferë në Durrës kanë përfunduar në prangat e policisë pasi janë kapur duke drejtuar mjetin në mënyrë të parregullt.

Nga burimet zyrtare mësohet se një prej të arrestuarve ka përplasur një këmbësore të mitur në fshatin Rrushkull, e cila aktualisht ndodhet në spital.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës, në vijim të punës së tyre për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:

– L. P., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “Opel”, ka goditur një mjet tjetër e më pas bordurën.

– E. M., 32 vjeç, banues në Shkallnurë, Durrës, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke drejtuar pa leje drejtimi motorin tip “Yamaha”.

– L. T., 29 vjeç, banues në fshatin Rrushkull, Durrës, pasi duke drejtuar mjetin tip “Ford” ka aksidentuar shtetasen E. K., 6 vjeçe, këmbësore, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.